161. Ku zgjedhet bordi i drejtorëve dhe presidenti?
Bordi i drejtorëve zgjedhet në mbledhjen e përgjithshme të aksionarëve, ndërsa presidenti zgjedhet nga bordi i drejtorëve.
162. Sa herë taksohen të ardhurat e një mbajtësi të aksioneve?
Të ardhurat e një mbajtësi të aksioneve taksohen dy herë. Së pari taksohen duke qenë si pjesë e fitimit total të shoqërisë dhe së dyti, si pjesë e të ardhurave personale të aksionerit. Kjo është edhe një disavantazh për shoqërite aksionare.
163. Cilat janë avantazhet e shoqërisë aksionare?
Avantazhet e shoqërisë aksionare janë: nëse fitimi nuk shpërndahet në formë dividenti, por riinvestohet në biznes atëherë taksa paguhet një herë, vazhdimësia e biznesit, etj.
164. Si e shtojnë kapitalin e vet firmat individuale dhe firmat me ortakë?
Firmat individuale dhe firmat me ortakë e shtojnë kapitalin e tyre duke marrë hua nga miqtë ose nga banka.
165. Si e shton kapitalin e vet korporata?
Korporata mund të shtojë kapitalin nga burimet financiare të jashtme dhe burimet financiare të brendshme.
166. Cilat janë rrugët që korporata përdor për të siguruar burime financiare të jashtme?
Rrugët kryesore që korporata përdor për të siguruar burime financiare të jashtme janë: shitja e obligacioneve, emetimi i aksioneve dhe marrja e kredive bankare.
167. Çka është shitja e obligacioneve?
Obligacioni është një letër me vlerë që i sjell mbajtësit të tij të ardhura të përvitshme, në bazë të përqindjeve fikse të caktuara më parë. Një obligacion përbën një detyrim afatgjatë, 10-15 vjeçar. Korporata është e obliguar të paguajë vlerën e obligacionit në kohën e caktuar, pamvarësisht se a është në fitim apo jo. Korporata kryen dy lloj pagesash ndaj mbajtësit të obligacionit: a) pagesën e interesit dhe pagesën e vlerës nominale të obligacionit.
168. Çka është emetimi i aksioneve?
Ekzistojnë tre lloje kryesore aksionesh: aksione të zakonshme, aksione të preferuara dhe aksione të konvertueshme.
Aksioni i zakonshëm i jep të drejtë mbajtësit të tij të jetë bashkëpronar i korporatës, të votojë në mbledhjen e përgjithshme dhe të marrë pjesë në zgjedhjen e drejtorëve. Pronari i aksioneve të zakonshme merr të ardhura në formë të dividentit.
Aksionet e preferuara i japin të drejtë mbajtësit të tij të përfitojnë një normë interesi fikse dhe nuk mund të kërkojnë ritjen e saj nëse korporata ecën mirë.
Aksionet e konvertueshme gjithashtu i japin të drejtë mbajtësit të tij të përfitojnë një normë interesi fikse. Por, këta mbajtës kanë të drejtë t’i konvertojnë këto aksione në një datë të specifikuar.
169. Çka është marrja e kredive bankare?
Marrja e kredive bankare është një hua që sigurohet me marrëveshje midis korporatës dhe bankës.
170. Cilat janë rrugët që korporata përdor për të siguruar burime financiare të brendshme?
Rrugët kryesore që korporata përdor për të siguruar burime financiare të brendshme janë: pjesa e fitimit dhe fondi i amortizimit.
171. Çka është shkrirja?
Shkrirja është marrëveshja midis dy apo më shumë firmave për t’u bashkuar dhe për të krijuar një firmë të re.
172. Cilat janë format kryesore të bashkimit të firmave?
Format kryesore të bashkimit të firmave janë: bashkimi vertikal (i dy ose më shumë firmave që realizojnë stade të ndryshme të procesit të prodhimit), bashkimi horizontal (i dy ose më shumë firmave që prodhojnë të njejtin produkt ose shërbim) & bashkimi i firmave, aktivitetet e të cilave nuk lidhen drejtëpërdrejt me njëri tjetrin.
173. Çka është kontabiliteti i firmës?
Kontabiliteti i firmës është burim informacioni për blerësit e mundshëm të aksioneve dhe obligacioneve të saj që ndihmon drejtuesit e firmës për marrjen e vendimeve dhe për njohjen e ecurisë së biznesit dhe vlerës së tij.
174. Çka është bilanci i firmës?
Bilanci i firmës paraqet gjendjen financiare të saj në një moment kohe. Bilanci i firmës mund të jetë aktiv, ku paraqet mjetet që janë në përdorim të firmës dhe pasiv, ku paraqet burimet e këtyre mjeteve. Ndërsa diferenca midis aktivit dhe burimeve jo të veta të firmës paraqet vlerën neto të saj. Parim themelor i bilancit është barazia e aktivit, e shënuar në anën e majtë me pasivin, e shënuar në anën e djathtë të bilancit.
175. Çka është pasqyra e rezultatit financiar?
Pasqyra e rezultatit financiar përmbledh transakcionet e firmës gjatë një periudhe kohe të dhënë.
176. Çka është prodhimi?
Prodhimi është një proces me anën e të cilit burimet kthehen në të mira dhe shërbime të ndryshme.
177. Çka paraqet funksioni i prodhimit?
Funksioni i prodhimit shpreh lidhjen midis sasisë së inputeve të përdorura dhe produktit të prodhuar. Analitikisht kjo lidhje jepet nga ekaucioni: Q = f (K, L),
i cili tregon se madhësia e produkit (Q) është funksion i madhësisë së kapitalit të fiksuar (K) dhe variablit punë (L) të përdorur nga firma me një gjendje të dhënë të teknologjisë. Kjo paraqitet edhe në tabelën dhe figurën e mëposhtme. Supozojmë se një firmë prodhon këpucë dhe për prodhimin e tyre përdor vetëm një makinë. Pra, madhësia e kapitalit është e fiksuar, kurse puna është faktor i ndryshueshëm. Kur sasia e punës është 0, nuk prodhohen asnjë palë këpucë, kurse me rritjen e numrit të punëtorëve rritet edhe numri i palëve të këpucëve të prodhuara. Sasia e produktit e prodhuar nga kombinimi i inputit punë L dhe inputit kapital K quhet produkt total dhe shënohet me Q ose TP. Kurba TP paraqitet në grafik, e cila tregon maksimumin e produktit për çdo sasi të inputit punë të përdorur.
178. Çka është produkti marxhinal?
Produkti marxhinal i punës është ndryshimi në produktin total që rezulton nga një ndryshim me një njësi të sasisë së punës të përdorur, duke mbajtur madhësinë e kapitalit konstante. Marrim shembullin e këpucëve. Nëse numri i punëtorëve rritet nga 2 në 3, produkti total rritet nga 10 në 13 palë këpucë. Produkti marxhinal jepet nga formula:
deltaTP
MP =-----------
deltaL
ku deltaTP është shtesa në produktin total dhe deltaL shtesa në inputin punë. Nga shembulli i sipërm kemi:
13 - 10
MP =---------- = 3
3 - 2
179. Si llogaritet produkti marxhinal i punës?
Produkti marxhinal i punës mund të llogaritet duke matur pjerrësinë e tangentes së hequr në pikën përkatëse të kurbës së produktit total. Raporti i produktit marxhinal mat pjerrësinë e kurbës së produktit total. Psh. kur firma punëson 2 punëtorë, pjerrësia e kurbës së produktit total jepet nga raporti cg/og=10/2=5. Produkti total arrin në pikën f, të cilës i përgjigjen 5 njësi pune. Tangentja e hequr në këtë pikë të kurbës e ka pjerrësinë të barabartë me zero. Nëse firma pajton njësi pune shtesë pas kësaj pike, produkti total bie dhe produkti marxhinal merr vlera negative.
180. Cili tregues njihet përpos treguesit të produktit total & produktit marxhinal?
Përpos treguesit të produktit total & marxhinal njihet edhe treguesi i produktit mesatar, që shënohet me AP. Produkti mesatar llogaritet si raport i produktit total me njësi të punës të përdorura. Psh. kur TP=10 & L=2, produkti mesatar do të jetë AP=10:2=5. Kjo paraqitet në figurë ku produkti mesatar matet me pjerrësinë e drejtëzës që del nga origjina & kalon nëpër pikë përkatëse të kurbës së produktit total.
Nga figura shohim se produkti mesatar më i lartë arrihet në pikëprerjen e kurbës së produktit mesatar me atë të produktit marxhinal, që i korrespondon pikës c në figurën b. Theksojmë se kur produkti marxhinal është më i madh se produkti mesatar, produkti mesatar rritet me shtimin e faktorit variabël, dhe e kundërta. Por nëse produkti marxhinal është i barabartë me produktin mesatar, në pikëprerjen e kurbave përkatëse, produkti mesatar arrin maksimumin e vet.
No comments:
Post a Comment