Wednesday, November 2, 2011

Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia

141. Çka e përbën fitimin e firmës?
Diferenca midis të ardhurave totale të firmës dhe kostos totale përbën fitimin e firmës, i cili mund të jetë pozitiv (kur të ardhurat tejkalojnë koston) dhe negativ (kur kosto tejkalon të ardhurat).

142. Cilat janë synimet e firmës?
Synimet e firmës janë: maksimizimi i fitimit, rritja e pjesëmarrjes në treg, krijimi i imazhit të mirë, etj.

143. Çka do të thotë koordinimi i firmës?
Supozojmë se një individi ju ka prishur vetura. Për ta riparuar, ai ose duhet ta çojë makinën në një firmë ku riparojnë vetura ose duhet koordinuar të gjitha veprimet vetë individi. Koordinimi i firmës konsiston në faktin se ai duhet ta çojë veturën në firmën ku bëhet riparimi. Pasi të riparohet vetura, pronari ia paguan të gjitha shërbimet firmës.

144. Çka do të thotë koordinimi i tregut?
Koordinimi i tregut konsiston në faktin se për ta rregulluar makinën, pronari i saj duhet fillimisht ta pajtojë një mekanik, i cili duhet t’i tregojë pronarit të veturës se çfarë shërbime i duhen veturës. Pastaj, pronari i blen pjesët e nevojshme dhe gjen një mekanik tjetër për t’i ndërruar ato.

145. Cilat janë arsyet kryesore që firmat janë më efiçente se sa tregjet?
Tri arsyet kryesore se firmat janë më efiçente se sa tregjet si koordinatore të aktivitetit ekonomik janë: ulja e kostove të transakcioneve, ekonomizimet e shkallës dhe ekonomizimet e skuadrave të prodhimit.

146. Çka janë kostot e transakcioneve?
Kostot e transakcioneve janë ato kosto që lidhen me gjetjen e firmave apo individëve, të gatshëm që të ofrojnë mallin apo shërbimin për të cilin ju jeni të interesuar, me arritjen e marrëveshjes përkatëse.

147. Çka janë ekonomizimet e shkallës?
Ekonomizimet e shkallës ekzistojnë kur kosto e prodhimit të një njësie të produktit ulet, nëse sasia e prodhimit rritet.

148. Çka janë skuadrat e prodhimit?
Skuadra e prodhimit është një organizim i tillë i prodhimit, në të cilin një grup individësh specializohen në detyra të caktuara për prodhimin e një produkti apo shërbimi.

149. Çfarë lloje e firmave ekzistojnë?
Firmat mund të ndahen në bazë të produktit që prodhojnë dhe në bazë të kriterit ligjor të organizimit të tyre. Në bazë të këtij kriteri ekzistojnë tri lloje firmash: firmat individuale, firmat me ortakë dhe korporatat (shoqëritë aksionare).

150. Çka janë firmat individuale?
Firmë individuale është ajo pronë e një pronari të vetëm dhe drejtohet vetëm prej tij. Kjo është forma më e thjeshtë e firmave. Pronari i firmës është përgjegjës për mbarëvajtjen e firmës dhe për detyrimet që ka ndaj të tjerëve. Si firmë individuale njihen: restorantet, dyqanet e shitjes, etj.

151. Cilat janë avantazhet e firmës individuale?
Avantazhet e firmës individuale janë: struktuara drejtues e saj është e thjeshtë, pronari i firmës i merr vetë të gjitha vendimet lidhur me firmën, pronari i firmës e merr vetë fitimin e firmës, kjo firmë ka pak kërkesa ligjore, lehtësia për t’u futur dhe për të dalë nga biznesi është më e madhe, etj.

152. Cilat janë disavantazhet e firmës individuale?
Disavantazhet e firmës individuale janë: përgjegjësia e pakufizuar financiare, investimet janë të kufizuara, etj.

153. Çka janë firmat me ortakë?
Firmat me ortakë janë ato firma që krijohen me dy ose më shumë pronarë. Secili prej tyre bie dakord të kontribuojë me një pjesë të punës dhe kapitalit të tij në firmë, të marrë një pjesë të fitimit të saj dhe të ketë përgjegjësinë e vet në humbjet apo detyrimet e firmës, madje një ortak mund të mbaj përgjegjësi edhe për gabimet që mund të bëjnë ortakët e tjerë.

154. Cilat janë avantazhet e firmave me ortakë?
Avantazhet e firmave me ortakë janë: posedon më shumë kapital, ka një pozitë më të mirë kreditore, ka aftësi drejtuese dhe organizuese më të lartë, etj.

155. Cilat janë disavantazhet e firmave me ortakë?
Disavantazhet e firmave me ortakë janë: ka përgjegjësi të pakufizuar financiare, duhet të kërkohet pëlqimi i të gjithë ortakëve për një vendim, përmbajnë veprime ligjore të ndërlikuara, kanë një jetë të kufizuar në biznes, etj.

156. Çka janë korporatat?
Korporatat janë një formë e njohur e organizimit të biznesit, kapitali i së cilës formohet nëpërmjet shitjes së aksioneve, prandaj ato shpesh quhen shoqëri aksionare.

157. Çka është aksioni?
Aksioni është një titull pronësie ndaj një pjese të pasurisë së shoqërisë, një letër me vlerë që vërteton se një individ ka investuar në shoqëri vlerën nominale të aksionit dhe se ka të drejtën të marrë pjesë në fitimin e shoqërisë, në përputhje me këtë vlerë nominale.

158. Në çfarë forme marrin fitimin aksionistët?
Aksionistët marrin një pjesë të fitimit të shoqërise aksionare në formën e dividentit.

159. Çka ndodh në shoqëritë aksionare pa dhe me ofertë publike?
Në shoqëritë aksionare pa ofertë publike aksionet mbahen privatisht dhe mund të shiten e të blihen vetëm me marrëveshje të të gjithë aksionistëve.
Në shoqëritë aksionare me ofertë publike, aksionet blihen dhe shiten në tregun e letrave me vlerë, në bursë.

160. Cili është organi më i lartë i një shoqërie aksionare?
Organi më i lartë i një shoqërie aksionare është mbledhja e përgjithshme e aksionistëve, e cila vendos për qështjet kryesore të aktivitetit të saj.


No comments: