Wednesday, November 2, 2011

Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia

21. Sipas cilave parime lidhen faktorët e prodhimit në procesin e prodhimit?
Faktorët e prodhimit lidhen në procesin e prodhimit sipas parimeve të caktuara teknologjike.

22. Çka paraqet teknologjia?
Teknologjia i referohet tërësisë së aftësive dhe njohurive shkencore që lidhen me përdorimin e inputeve (faktorëve të prodhimit) në procesin e prodhimit.

23. Si lind dukuria e rrallësisë së mallrave dhe shërbimeve?
Sasia e burimeve, pra fakorëve të prodhimit për një ekonomi, në një kohë të dhënë është e kufizuar. Këtej lind dukuria e rrallësisë së mallrave dhe shërbimeve.

24. Çka shpall ligji i rrallësisë?
Ligji i rrallësisë shpall se mallrat dhe shërbimet janë të rrallë, të pamjaftueshëm, sepse të pamjaftueshëm janë edhe burimet për prodhimin e tyre sipas nevojave të njerëzve për konsum.
25. Çka lidhet me ligjin e rrallësisë?
Me ligjin e rrallësisë lidhet domosdoshmëria e zgjedhjes midis mallrave dhe shërbimeve që duhen prodhuar. Pra, zgjedhja është pasojë e rrallësisë.

26. Cili është problemi kryesor ekonomik?
Problemi i alokimit të burimeve të kufizuara midis nevojave konkurruese e faktikisht të pakufizuara të shoqërisë, përbën problemin ekonomik kryesor të çdo shoqërie.

27. Cilat janë pyetjet kryesore të problemeve ekonomike?
Tri pyetjet kryesore ekonomike janë: çfarë të prodhohet, si të prodhohet dhe për kë të prodhohet.

28. Çka studion mikroekonomia?
Mikroekonomia merret me studimin e sjelljes së agjentëve ekonomikë: konsumatorëve, firmave të biznesit si dhe të agjensive qeveritare në masën që veprimtaria e tyre lidhet me alokimin e burimeve dhe funksionimin e sektorëve të veçantë të ekonomisë. Në qendër të studimit të Mikroekonomisë pra janë tregjet e mallrave apo shërbimeve të veçanta dhe kushtet e ekuilibrit të tyre.

29. Si ilustrohet problemi ekonomik themelor?
Problemi ekonomik themelor i një shoqërie mund të ilustrohet me anë të kufirit të mundësive të prodhimit.

30. Çka paraqet kufiri i mundësive të prodhimit?
Kufiri i mundësive të prodhimit shpreh kombinime të ndryshme të mallrave dhe shërbimeve që mund të prodhojë një vend gjatë një periudhe të dhënë kohe, duke përdorur të gjitha burimet në dispozicion dhe me teknikat më efiçente të prodhimit.

31. Çka quhet rritje ekonomike?
Zgjerimi i qëndrueshëm i mundësive të prodhimit quhet rritje ekonomike. Rritja ekonomike kushtëzohet nga rritja e burimeve, d.m.th. e tokës, e kapitalit dhe e punës, ose nga përmirësimi cilësor i tyre.

32. Çka kuptojmë me produktivitet?
Me produktivitet kuptojmë sasinë e produktit të prodhuar për njësi të inputeve të pëdorura.

33. Çka kuptojmë me efiçencë ekonomike?
Me efiçencë ekonomike do të kuptojmë atë gjendje të ekonomisë, në të cilën askush nuk mund të rritë mirëqënien e tij pa cënuar mirëqënien e dikujt tjetër.

34. Çka paraqet efiçenca prodhuese?
Efiçenca prodhuese nënkupton prodhimin e një sasie të dhënë produkti me minimumin e burimeve.

35. Çka paraqet efiçenca alokative?
Efiçenca alokative nënkupton që burimet të jenë alokuar në prodhimin e atyre mallrave dhe shërbimeve që kërkon shoqëria.

36. Çka paraqet efiçenca në shpërndarje?
Efiçenca në shpërndarje nënkupton një shpërndarje të produktit të prodhuar, në të cilën konsumatorët, duke i marrë të dhëna të ardhurat dhe çmimet e tregut, nuk do të dëshironin t’i shpenzonin këto të ardhura në ndonjë mënyrë tjetër.

37. Paraqite një shembull të kufirit të mundësive të prodhimit?
Supozojmë se një vend prodhon vetëm dy mallra, ushqime dhe stofra. Në boshtin horizontal është vendosur sasia e stofrave të prodhuara, ndërsa në boshtin vertikal sasia e ushqimeve. Nëse të gjitha burimet e ekonomisë do të përdoreshin për prodhimin e ushqimeve, sasia e ushqimeve të prodhuara në vit do të ishte 15 mijë tonë, ndërsa sasia e stofrave të prodhuara do të ishte zero.
Mundësitë Stofra (milionë ml) Ushqime (mijë tone)
A 0 15
B 1 14.7
C 2 14
D 3 12
E 4 9
F 5 0

Nëse vendosim të prodhojmë 1 milionë ml stofra, kjo arrihet vetëm duke tranferuar një pjesë të burimeve nga prodhimi i ushqimeve në prodhimin e stofrave. Në këtë rast, sipas tabelës, prodhimi i ushqimit do të ulej nga 15 mijë tonë në 14.7 mijë tonë.
Vija AF, që bashkon pikat ABCDEF dhe të gjitha pikat e ndërmjetme quhet kurba e kufirit të mundësive të prodhimit. Cdo pikë që ndodhet brenda vijës së kufirit të mundësive të prodhimit, siç është rasti i pikes M, tregon se burimet nuk përdoren plotësisht dhe quhen pika të padëshirueshme. Cdo pikë jashtë kufirit të mundësive të prodhimit, siç është rasti i pikes N, tregon kombinime të paarritshme me sasinë e dhënë të burimeve. Pikat në vijën e mundësive të prodhimit, siç janë pikat ABC, etj., nënkuptojnë përdorim maksimal të kapaciteteve prodhuese.

38. Pasqyro nivelin e konsumit dhe investimeve!
Në periudha afatgjata rritja e prodhimit të mallrave krijon mundësi për rritjen e konsumit, nëpërmjet zhvendosjes djathtas të kufirit të mundësive të prodhimit. Në figurën A paraqitet niveli i konsumit dhe investimeve neto të tre vendeve, për të cilat supozohet se kanë të njëjtin kufi të mundësive të prodhimit. Vendi 1 prodhon në pikën A1, pra ai nuk kryen asnjë investim. Vendi 2 heq dorë nga një sasi konsumi për të siguruar një nivel investimesh dhe prodhon në pikën A2. Vendi 3 prodhon në pikën A3, që paraqet një nivel më të vogël konsumi për një nivel më të lartë investimesh.
Në figurën B paraqitet niveli i konsumit dhe investimeve neto të tre vendeve pas një periudhe disa vjeçare. Rritja e kapitalit për vendin 2 dhe 3 u ka lejuar atyre që të zgjerojnë mundësitë e prodhimit, duke rritur nivelin e konsumit dhe të investimeve. Vendi 1 ka mbetur në të njëjtën kurbë të mundësive të prodhimit dhe nivel konsumi.

39. Si është tregu në vendet e mbyllura ekonomikisht?
Në vendet e mbyllura ekonomikisht niveli i konsumit është i përcaktuar tërësisht nga niveli i prodhimit, nuk mund të konsumohet më shumë se që prodhohet.

40. Si është tregu në vendet e hapura ekonomikisht?
Në vendet e hapura ekonomikisht tregu është i hapur, konsumatorët e atij vendi mund të konsumojnë edhe mallra apo shërbime të prodhuara nga vendet tjera.


No comments: