Thursday, November 3, 2011
Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia
81. Me zbritjen e çmimeve çfarë bënë oferta?
Me zbritjen e qmimeve, oferta ulet – pra sasia e ofruar për shitje ulet.
82. Me rritjen e çmimeve, çfarë ndodh me ofertën?
Me rritjen e qmimeve, oferta rritet – pra sasia e ofruar për shitje rritet.
83. Nëse e vendosim kurben e prodhimit në anën e majtë, çfarë kemi?
Nëse kurba e prodhimit vendoset në anën e majtë, kemi zvogëlim të prodhimit.
84. Nëse kurba është në anën e djathtë, çfarë kemi?
Nëse kurba e prodhimit vendoset në anën e djathtë, kemi rritje të prodhimit – rritje ekonomike.
85. Cilët janë faktorët që ndikojnë te oferta?
Faktorët që ndikojnë te oferta janë: çmimet e faktorëve të prodhimit; teknologjia e përdorur; çmimet e mallrave; pritjet e ofruesve dhe numri i ofruesve.
86. Çka paraqet pika e ekuilibrit në treg? Vizato figurën!
Pika e ekuilibrit në treg paraqet gjendjen ku si blerësit ashtu edhe shitësit nuk kanë arsye të ndryshojnë sjelljen e tyre. Sasia e ofruar është e barabartë me sasinë e kërkuar – tregu është në ekuilibër.
87. Çka paraqet çmimi i ekuilibrit?
Cmimi i ekuilibrit paraqet çmimin, për të cilin sasia e kërkuar dhe ajo e ofruar janë të barabarta.
88. Çka është disekuilibri?
Gjendja e tregut, në të cilën blerësit dhe shitësit nuk kanë arsye të ndryshojnë sjelljen e tyre, pra ekuilibri i tregut, nuk arrihet menjëherë. Në treg mund të ekzistojnë teprica ose mungesa që ushtrojnë presion për uljen ose ngritjen e çmimit. Për sa kohë që vazhdon ky presion, kemi një gjendje disekuilibri.
89. Kur ekziston disekuilibri?
Disekuibri ekziston kur sasia e kërkuar s’është e barabartë me sasinë e ofruar.
90. Çka është shitja në ankand?
Shitja në ankand paraqet rastin kur kërkuesit dhe ofruesit ftohen të bëjnë të njohur sasinë që duan të blejnë apo të shesin me një çmim; çmimi shkon duke u rritur (zbritur) derisa të barazohet kërkesa totale me ofertën totale – pra ekuilibri në treg.
91. Cilët janë faktorët që ndikojnë në zgjatjen e disekuilibrit?
Këta faktorë janë: imponimi nga qeveria për çmimin dhe sasinë, mosrealizimi i planeve të prodhimit dhe gjendja e një ekuilibri të paqëndrueshëm.
92. Çfarë efekti ka taksa mbi çmimin dhe sasinë e produktit? Vizato figurën!
Nga figura shohim se çdo ndarje në boshtin vertikal tregon 100€, ndërsa çdo ndarje në boshtin horizontal tregon 5 mijë kv grurë. Kurba e kërkesës nuk ka arsye të ndryshojë. Konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë 300€ për 12 mijë kv grurë. Kurba e ofertës zhvendoset lart-majtas.
93. Kush e paguan taksën?
Taksa paguhet nga prodhuesi dhe konsumatori. Nëse oferta është më elastike se kërkesa, pjesa e taksës që paguan konsumatori është më e madhe, dhe e kundërta.
94. Çka është çmimi tavan i benzinës, i banesave?
Cmimi tavan i benzinës/banesave paraqet çmimin maksimal të lejueshëm për të cilin vendos qeveria. Marrin shembullin e benzinës. Në kushte ekuilibri, çmimi i benzinës do të arrinte 2€/litër. Themi se qeveria vendos një çmim tavan prej 1€/l. Për këtë çmim (që paraqitet nga drejtëza FJK) kërkesa nuk përputhet me ofertën. Konsumatorët kërkojnë më shumë benzinë, por nuk ka sasi të majftueshme. Në këto kushte, zgjidhja e vetme janë triskat. Kurba e kërkesës zhvendoset nga D në D’. Marrim shembullin e qerasë së banesave. Supozojmë se çmimi i ekuilibrit (qerasë mujore) është 700€/banesë, ndërsa sasia e ekuilibrit 40 mijë banesa. Nëse vendoset që qeraja të jetë 400€, atëherë kërkesa do të jetë 55 mijë. Me rritjen e qerasë zhvendoset sistemi lart përgjatë kurbës S, që do të nxiste ndërtimin e banesave të reja.
95. Çka është shitja e benzinës me triska?
Shitja e benzinës me triska paraqet kufizimin e kërkesës për konsumatorët, pra konsumatorët mund të blejnë benzinë vetëm aq sa e kanë të përcaktuar përmes triskave – kjo ndodh në raste kur shteti ka mungesë të benzinës dhe për të arritur racionalizimi i situatës vendoset furnizimi i konsumatorëve përmes triskave.
96. Çka është çmimi dysheme i pagave, produkteve bujqësore?
Supozojmë se paga minimale fiksohet me ligj në FJK. Ekuilibri rezulton në pikën J. Me këtë pagë, numri i punëtorëve zvogëlohet nga q* në q’. Supozojmë se qeveria vendos çmime dysheme për produktet bujqësore. Bujqit ofrojnë q” produkte, ndërsa konsumatorët kërkojnë q’. Pra krijohet një tepricë (q”-q’). Cmimi dysheme pakëson sasinë e kërkuar dhe rrit sasinë e ofruar.
97. Çka shpreh elasticiteti?
Elasticiteti shpreh shkallën e reagimit të subjekteve ekonomike ndaj ndryshimit të kushteve ekonomike të tregut.
98. Të gjendet për qind-ja e ndryshimit të sasisë. Shkruaje formulën?
Për të llogaritur përqindjen e ndryshimit të sasisë së kërkuar, pjestojmë diferencën e sasive të kërkuara (q2 – q1) me mesataren e dy sasive. Dhe kemi:
(q2 – q1)
Përqinda e ndryshimit të sasisë = ------------- x 100
( q2 + q1)/2
99. Të gjendet për qind-ja e ndryshimit të çmimit. Shkruaje formulën?
Për të llogaritur përqindjen e ndryshimit të çmimit të kërkuar, pjestojmë diferencën e çmimeve të kërkuara (p2 – p1) me mesataren e dy sasive. Dhe kemi:
(p2 – p1)
Përqinda e ndryshimit të çmimit = ------------- x 100
(p2 + p1)/2
100. Elasticiteti i kërkesës në lidhje me çmimin, çka paraqet?
Elasticiteti i kërkesës në lidhje me çmimin paraqet kërkesën elastike apo joelastike varësisht nga ndjeshmëria e konsumatorit; kur rritet (zvogëlohet) çmimi, konsumatorët mund të jenë më shumë apo më pak të ndieshëm. Në fig. A shohim se kur çmimi rritet nga 1 në 1,25€, sasia e kërkuar e të mirës ulet nga 100 në 95 njësi; në fig. B për të njejtën rritje të çmimit, sasia e kërkuar e të mirës ulet nga 100 në 70 njësi. Pra, shkalla e reagueshmërisë së konsumatorit është e ndryshme për të njejtin ndryshim të çmimit.
Wednesday, November 2, 2011
Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia
201. Cili është objektivi i shkencës?
Objektivi i shkencës është të arrihet te e vërteta përmes metodave shkencore.
202. Çka janë supozimet?
Supozimet janë diçka që merren si të besueshme pa fakte/prova.
203. Çka është aproksimacioni?
Aproksimacioni (latinisht aproximate–përafërsi) është supozim i përafërt me të vërtetën.
204. Çka është e vërteta në shkencë?
E vërteta në shkencë është një supozim i vërtetuar me metoda shkencore.
205. Çka është Dogma?
Dogma është një deklaratë e avancuar dhe autoritative të një doktrine religjioze, jo për t’u diskutuar por për t’u besuar.
206. Testimi i një modeli ekonomik a kërkon krahasimin e parashikimeve te tij kundrejt ngjarjeve reale?
PO.
207. Nëse parashikimet e një modeli bien në kundërshtim me faktet përkatëse që kanë lidhje me qështjen, si duhet të lidhet fakti i pa vlerë apo i modifikuar ?
I pavlerë.
208. Një grafik i serive kohore a mat kohën në boshtin horizontal. PO
209. Nëse variabli a ngritët kur variabëli b bie dhe a bie kur b ngritët midis a dhe b, çfarë lidhje kanë?
Kanë lidhje negative.
210. Pjerrësia e një kurbe a është konstante? JO
211. Kur dëshirojmë të paraqesim grafikisht lidhjen në mes të tri variabileve, në duhet të mbajmë dy nga ato konstante ndërsa paraqesin të tretën.
Njëra duhet të merret konstante e dy tjerat të paraqiten në grafik si variabile.
212. Shoqëritë e ndryshme problemet ekonomike i zgjedhin në mënyrë të ndryshme, në bazë të kujt bëhet zgjedhja?
Në baze të sistemit të çmimeve.
213. Faktorët e prodhimit klasifikohen në grupe të përgjithshme, burime fizike dhe mendore, këto mendore kush i ka?
Këto burime mendore i përfshin faktori njeri (burime njerëzore).
214. Në çdo ekonomi në thelb qëndron zgjedhja e konfliktit në mes të kujt? Dëshirave/nevojave që janë të pakufizuara dhe kapitalit që është i kufizuar.
215. A është efikase për shoqërinë të prodhojë mbi Kufirin e Mundësive të Prodhimit? JO
Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia
181. Çka thotë ligji i të ardhurave zbritëse?
Ligji i të ardhurave zbritëse thotë se nëse ndaj një sasie të dhënë të faktorit të fiksuar shtohen njësi të njëpasnjëshme të një faktori të ndryshueshëm të prodhimit, produkti marxhinal dhe ai mesatar i faktorit të ndryshueshëm eventualisht do të bien. Ky ligj vepron vetëm në periudha afatshkurtëra, ku të paktën njëri nga faktorët e prodhimit është i fiksuar dhe gjendja e teknologjisë është e pandryshueshme.
182. Çka paraqesin të ardhurat e shkallës?
Të ardhurat e shkallës paraqesin reagueshmërinë e produktit total kur të gjitha inputet rriten në të njejtin përpjestim.
186. Cilat janë tri rastet e të ardhurave të shkallës?
Tri rastet e të ardhurave të shkallës janë: a) të ardhurat konstante të shkallës (rasti kur ndryshimet përpjestimore në të gjithë inputet çojnë në një rritje në të njejtin përpjestim në prodhim); b) të ardhurat zbritëse të shkallës (rasti kur një rritje përpjestimore në të gjithë inputet çon në rritje në përpjestim më të vogël në produktin total) dhe c) të ardhurat rritëse të shkallës (rasti kur një rritje përpjestimore në të gjithë inputet çon në një rritje në përpjestim më të madh në nivelin e produktit total).
183. Cilat janë periudhat e faktorit kohë?
Periudhat e faktorit kohë janë: periudha momentale, periudha afatshkurtër dhe periudha afatgjatë.
184. Vizato dhe shpjego figurën e ndryshimit në teknologji!
Me ndryshimet progresive në teknologji bëhet e mundur që me të njejtat inpute të sigurohet më shumë produkt, ose e njejta sasi prodhimi me më pak inpute.
185. Çka paraqet funksioni i prodhimit në periudha afatgjata?
Funksioni i prodhimit në periudha afatgjata shpreh lidhjen midis kombinimeve të ndryshme të inputeve dhe madhësisë maksimale të produktit që mund të realizohet me këto kombinime, me një gjendje të dhënë të teknologjisë.
186. Çka përfaqëson izokuanti?
Izokuanti paraqet tërësinë e kombinimeve të ndryshme të punës dhe kapitalit që japin sasi të barabarta produkti. Norma sipas së cilës kryhet zëvendësimi duke mbajtur prodhimin konstant, quhet norma teknike e zëvendësimit (TRS). Izokuantët kanë pjerrësi negative, janë konvekse ndaj origjinës, etj.
187. Çka është izokosto?
Izokosto tregon të gjitha kombinimet e punës dhe të kapitalit që mund të blihen me një shumë parash nga ana e firmës.
188. Si jepet pjerrësia e izokuantit dhe izokostos?
Pjerrësia e izokuantit jepet nga raporti i produkteve marxhinale të punës dhe kapitalit, ndërsa pjerrësia e izokostos jepet nga raporti i çmimeve të dy inputeve, pra:
MPL PL
—— = ——
MPK PK
189. Si bëhet shitja me tender?
Shitja në tender bëhet kur ofertuesit (apo kërkuesit) ofrojnë një mall (apo kërkojnë shërbime); kjo bëhet përmes shpalljes publike. Mblidhen ofertat dhe bëhet selektimi në bazë të mekanizmave të përcaktuar nga ofruesit (kërkuesit) që kanë bërë shpalljen. Shpallet fituesi. Në rastet kur bëhet shitja e një produkti mirret oferta më a lartë, kurse në rastet kur nevojiten shërbime mirret oferta më e lirë.
190. Cilat janë pasurit e një vendi?
Pasuritë e një vendi janë: pasuritë natyrore (toka bujqësore, toka si truall ndërtimi), burimet e energjisë, burimet minerale si dhe kapitali (pajisjet dhe makineritë, ndërtesat, inventari), etj.
191. Nëse ka në një vend rezerva tokësore dhe nëntokësore a është vend i zhvilluar?
Një vend është vend i zhvilluar vetëm nëse bëhet shfrytëzimi i atyre rezervave; nëse ato rezerva nuk shfrytëzohen atëherë ai shtet nuk do të zhvillohet.
192. Nëse ka rezerva të ujit a mund të kemi rrym prej saj?
Po, edhe përmes hidrocentraleve.
193. Çka nënkupton rritje dhe shtim i burimeve?
Rritja dhe shtimi i burimeve nënkupton termin akumulim kapitali, duke iu referuar jo vetëm kapitalit si i tillë por edhe kapitalit njerëzor.
194. Si quhet grafi që mat një variabël ekonomik në aksin vertikal dhe kohën në aksin horizontal?
Grafik i serive kohore.
195. Çfarë lidhje paraqesin dy variabla nëse lëvizin së bashku lartë ose poshtë?
Ato paraqesin lidhje të drejtë/pozitive.
196. Çfarë lidhje paraqesin dy variabla nëse lëvizin në drejtim të kundërt?
Dy variablat që lëvizin në drejtim të kundërt shfaqin një lidhje të zhdrejtë/negative.
197. Çka paraqet një vijë e drejtë?
Një vijë e drejtë paraqet pjerrësi konstante në të gjitha pikat.
198. Çka e bën shkencën shkencë?
Shkencën e simbolizon mbledhja e informatave, eksperimentimi, dhe metodologjia për të ardhur deri te shpjegimi i asaj që vrojtohet.
199. Çka është qëllimi i shkencës?
Qëllimi i shkencës në përgjithësi është që t’u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me realitetin. Psh. shkencat shoqërore na lejojnë që të parashikojmë gjërat si trazirat ekonomike dhe të kuptojmë më mirë sjelljet e shoqërisë.
200. Çka është metoda shkencore?
Metoda shkencore ofron një proces objektiv për të gjetur zgjidhjet e problemeve përmes vëzhgimit, hipotezave, testimeve & nxjerrjen e përfundimeve.
Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia
161. Ku zgjedhet bordi i drejtorëve dhe presidenti?
Bordi i drejtorëve zgjedhet në mbledhjen e përgjithshme të aksionarëve, ndërsa presidenti zgjedhet nga bordi i drejtorëve.
162. Sa herë taksohen të ardhurat e një mbajtësi të aksioneve?
Të ardhurat e një mbajtësi të aksioneve taksohen dy herë. Së pari taksohen duke qenë si pjesë e fitimit total të shoqërisë dhe së dyti, si pjesë e të ardhurave personale të aksionerit. Kjo është edhe një disavantazh për shoqërite aksionare.
163. Cilat janë avantazhet e shoqërisë aksionare?
Avantazhet e shoqërisë aksionare janë: nëse fitimi nuk shpërndahet në formë dividenti, por riinvestohet në biznes atëherë taksa paguhet një herë, vazhdimësia e biznesit, etj.
164. Si e shtojnë kapitalin e vet firmat individuale dhe firmat me ortakë?
Firmat individuale dhe firmat me ortakë e shtojnë kapitalin e tyre duke marrë hua nga miqtë ose nga banka.
165. Si e shton kapitalin e vet korporata?
Korporata mund të shtojë kapitalin nga burimet financiare të jashtme dhe burimet financiare të brendshme.
166. Cilat janë rrugët që korporata përdor për të siguruar burime financiare të jashtme?
Rrugët kryesore që korporata përdor për të siguruar burime financiare të jashtme janë: shitja e obligacioneve, emetimi i aksioneve dhe marrja e kredive bankare.
167. Çka është shitja e obligacioneve?
Obligacioni është një letër me vlerë që i sjell mbajtësit të tij të ardhura të përvitshme, në bazë të përqindjeve fikse të caktuara më parë. Një obligacion përbën një detyrim afatgjatë, 10-15 vjeçar. Korporata është e obliguar të paguajë vlerën e obligacionit në kohën e caktuar, pamvarësisht se a është në fitim apo jo. Korporata kryen dy lloj pagesash ndaj mbajtësit të obligacionit: a) pagesën e interesit dhe pagesën e vlerës nominale të obligacionit.
168. Çka është emetimi i aksioneve?
Ekzistojnë tre lloje kryesore aksionesh: aksione të zakonshme, aksione të preferuara dhe aksione të konvertueshme.
Aksioni i zakonshëm i jep të drejtë mbajtësit të tij të jetë bashkëpronar i korporatës, të votojë në mbledhjen e përgjithshme dhe të marrë pjesë në zgjedhjen e drejtorëve. Pronari i aksioneve të zakonshme merr të ardhura në formë të dividentit.
Aksionet e preferuara i japin të drejtë mbajtësit të tij të përfitojnë një normë interesi fikse dhe nuk mund të kërkojnë ritjen e saj nëse korporata ecën mirë.
Aksionet e konvertueshme gjithashtu i japin të drejtë mbajtësit të tij të përfitojnë një normë interesi fikse. Por, këta mbajtës kanë të drejtë t’i konvertojnë këto aksione në një datë të specifikuar.
169. Çka është marrja e kredive bankare?
Marrja e kredive bankare është një hua që sigurohet me marrëveshje midis korporatës dhe bankës.
170. Cilat janë rrugët që korporata përdor për të siguruar burime financiare të brendshme?
Rrugët kryesore që korporata përdor për të siguruar burime financiare të brendshme janë: pjesa e fitimit dhe fondi i amortizimit.
171. Çka është shkrirja?
Shkrirja është marrëveshja midis dy apo më shumë firmave për t’u bashkuar dhe për të krijuar një firmë të re.
172. Cilat janë format kryesore të bashkimit të firmave?
Format kryesore të bashkimit të firmave janë: bashkimi vertikal (i dy ose më shumë firmave që realizojnë stade të ndryshme të procesit të prodhimit), bashkimi horizontal (i dy ose më shumë firmave që prodhojnë të njejtin produkt ose shërbim) & bashkimi i firmave, aktivitetet e të cilave nuk lidhen drejtëpërdrejt me njëri tjetrin.
173. Çka është kontabiliteti i firmës?
Kontabiliteti i firmës është burim informacioni për blerësit e mundshëm të aksioneve dhe obligacioneve të saj që ndihmon drejtuesit e firmës për marrjen e vendimeve dhe për njohjen e ecurisë së biznesit dhe vlerës së tij.
174. Çka është bilanci i firmës?
Bilanci i firmës paraqet gjendjen financiare të saj në një moment kohe. Bilanci i firmës mund të jetë aktiv, ku paraqet mjetet që janë në përdorim të firmës dhe pasiv, ku paraqet burimet e këtyre mjeteve. Ndërsa diferenca midis aktivit dhe burimeve jo të veta të firmës paraqet vlerën neto të saj. Parim themelor i bilancit është barazia e aktivit, e shënuar në anën e majtë me pasivin, e shënuar në anën e djathtë të bilancit.
175. Çka është pasqyra e rezultatit financiar?
Pasqyra e rezultatit financiar përmbledh transakcionet e firmës gjatë një periudhe kohe të dhënë.
176. Çka është prodhimi?
Prodhimi është një proces me anën e të cilit burimet kthehen në të mira dhe shërbime të ndryshme.
177. Çka paraqet funksioni i prodhimit?
Funksioni i prodhimit shpreh lidhjen midis sasisë së inputeve të përdorura dhe produktit të prodhuar. Analitikisht kjo lidhje jepet nga ekaucioni: Q = f (K, L),
i cili tregon se madhësia e produkit (Q) është funksion i madhësisë së kapitalit të fiksuar (K) dhe variablit punë (L) të përdorur nga firma me një gjendje të dhënë të teknologjisë. Kjo paraqitet edhe në tabelën dhe figurën e mëposhtme. Supozojmë se një firmë prodhon këpucë dhe për prodhimin e tyre përdor vetëm një makinë. Pra, madhësia e kapitalit është e fiksuar, kurse puna është faktor i ndryshueshëm. Kur sasia e punës është 0, nuk prodhohen asnjë palë këpucë, kurse me rritjen e numrit të punëtorëve rritet edhe numri i palëve të këpucëve të prodhuara. Sasia e produktit e prodhuar nga kombinimi i inputit punë L dhe inputit kapital K quhet produkt total dhe shënohet me Q ose TP. Kurba TP paraqitet në grafik, e cila tregon maksimumin e produktit për çdo sasi të inputit punë të përdorur.
178. Çka është produkti marxhinal?
Produkti marxhinal i punës është ndryshimi në produktin total që rezulton nga një ndryshim me një njësi të sasisë së punës të përdorur, duke mbajtur madhësinë e kapitalit konstante. Marrim shembullin e këpucëve. Nëse numri i punëtorëve rritet nga 2 në 3, produkti total rritet nga 10 në 13 palë këpucë. Produkti marxhinal jepet nga formula:
deltaTP
MP =-----------
deltaL
ku deltaTP është shtesa në produktin total dhe deltaL shtesa në inputin punë. Nga shembulli i sipërm kemi:
13 - 10
MP =---------- = 3
3 - 2
179. Si llogaritet produkti marxhinal i punës?
Produkti marxhinal i punës mund të llogaritet duke matur pjerrësinë e tangentes së hequr në pikën përkatëse të kurbës së produktit total. Raporti i produktit marxhinal mat pjerrësinë e kurbës së produktit total. Psh. kur firma punëson 2 punëtorë, pjerrësia e kurbës së produktit total jepet nga raporti cg/og=10/2=5. Produkti total arrin në pikën f, të cilës i përgjigjen 5 njësi pune. Tangentja e hequr në këtë pikë të kurbës e ka pjerrësinë të barabartë me zero. Nëse firma pajton njësi pune shtesë pas kësaj pike, produkti total bie dhe produkti marxhinal merr vlera negative.
180. Cili tregues njihet përpos treguesit të produktit total & produktit marxhinal?
Përpos treguesit të produktit total & marxhinal njihet edhe treguesi i produktit mesatar, që shënohet me AP. Produkti mesatar llogaritet si raport i produktit total me njësi të punës të përdorura. Psh. kur TP=10 & L=2, produkti mesatar do të jetë AP=10:2=5. Kjo paraqitet në figurë ku produkti mesatar matet me pjerrësinë e drejtëzës që del nga origjina & kalon nëpër pikë përkatëse të kurbës së produktit total.
Nga figura shohim se produkti mesatar më i lartë arrihet në pikëprerjen e kurbës së produktit mesatar me atë të produktit marxhinal, që i korrespondon pikës c në figurën b. Theksojmë se kur produkti marxhinal është më i madh se produkti mesatar, produkti mesatar rritet me shtimin e faktorit variabël, dhe e kundërta. Por nëse produkti marxhinal është i barabartë me produktin mesatar, në pikëprerjen e kurbave përkatëse, produkti mesatar arrin maksimumin e vet.
Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia
141. Çka e përbën fitimin e firmës?
Diferenca midis të ardhurave totale të firmës dhe kostos totale përbën fitimin e firmës, i cili mund të jetë pozitiv (kur të ardhurat tejkalojnë koston) dhe negativ (kur kosto tejkalon të ardhurat).
142. Cilat janë synimet e firmës?
Synimet e firmës janë: maksimizimi i fitimit, rritja e pjesëmarrjes në treg, krijimi i imazhit të mirë, etj.
143. Çka do të thotë koordinimi i firmës?
Supozojmë se një individi ju ka prishur vetura. Për ta riparuar, ai ose duhet ta çojë makinën në një firmë ku riparojnë vetura ose duhet koordinuar të gjitha veprimet vetë individi. Koordinimi i firmës konsiston në faktin se ai duhet ta çojë veturën në firmën ku bëhet riparimi. Pasi të riparohet vetura, pronari ia paguan të gjitha shërbimet firmës.
144. Çka do të thotë koordinimi i tregut?
Koordinimi i tregut konsiston në faktin se për ta rregulluar makinën, pronari i saj duhet fillimisht ta pajtojë një mekanik, i cili duhet t’i tregojë pronarit të veturës se çfarë shërbime i duhen veturës. Pastaj, pronari i blen pjesët e nevojshme dhe gjen një mekanik tjetër për t’i ndërruar ato.
145. Cilat janë arsyet kryesore që firmat janë më efiçente se sa tregjet?
Tri arsyet kryesore se firmat janë më efiçente se sa tregjet si koordinatore të aktivitetit ekonomik janë: ulja e kostove të transakcioneve, ekonomizimet e shkallës dhe ekonomizimet e skuadrave të prodhimit.
146. Çka janë kostot e transakcioneve?
Kostot e transakcioneve janë ato kosto që lidhen me gjetjen e firmave apo individëve, të gatshëm që të ofrojnë mallin apo shërbimin për të cilin ju jeni të interesuar, me arritjen e marrëveshjes përkatëse.
147. Çka janë ekonomizimet e shkallës?
Ekonomizimet e shkallës ekzistojnë kur kosto e prodhimit të një njësie të produktit ulet, nëse sasia e prodhimit rritet.
148. Çka janë skuadrat e prodhimit?
Skuadra e prodhimit është një organizim i tillë i prodhimit, në të cilin një grup individësh specializohen në detyra të caktuara për prodhimin e një produkti apo shërbimi.
149. Çfarë lloje e firmave ekzistojnë?
Firmat mund të ndahen në bazë të produktit që prodhojnë dhe në bazë të kriterit ligjor të organizimit të tyre. Në bazë të këtij kriteri ekzistojnë tri lloje firmash: firmat individuale, firmat me ortakë dhe korporatat (shoqëritë aksionare).
150. Çka janë firmat individuale?
Firmë individuale është ajo pronë e një pronari të vetëm dhe drejtohet vetëm prej tij. Kjo është forma më e thjeshtë e firmave. Pronari i firmës është përgjegjës për mbarëvajtjen e firmës dhe për detyrimet që ka ndaj të tjerëve. Si firmë individuale njihen: restorantet, dyqanet e shitjes, etj.
151. Cilat janë avantazhet e firmës individuale?
Avantazhet e firmës individuale janë: struktuara drejtues e saj është e thjeshtë, pronari i firmës i merr vetë të gjitha vendimet lidhur me firmën, pronari i firmës e merr vetë fitimin e firmës, kjo firmë ka pak kërkesa ligjore, lehtësia për t’u futur dhe për të dalë nga biznesi është më e madhe, etj.
152. Cilat janë disavantazhet e firmës individuale?
Disavantazhet e firmës individuale janë: përgjegjësia e pakufizuar financiare, investimet janë të kufizuara, etj.
153. Çka janë firmat me ortakë?
Firmat me ortakë janë ato firma që krijohen me dy ose më shumë pronarë. Secili prej tyre bie dakord të kontribuojë me një pjesë të punës dhe kapitalit të tij në firmë, të marrë një pjesë të fitimit të saj dhe të ketë përgjegjësinë e vet në humbjet apo detyrimet e firmës, madje një ortak mund të mbaj përgjegjësi edhe për gabimet që mund të bëjnë ortakët e tjerë.
154. Cilat janë avantazhet e firmave me ortakë?
Avantazhet e firmave me ortakë janë: posedon më shumë kapital, ka një pozitë më të mirë kreditore, ka aftësi drejtuese dhe organizuese më të lartë, etj.
155. Cilat janë disavantazhet e firmave me ortakë?
Disavantazhet e firmave me ortakë janë: ka përgjegjësi të pakufizuar financiare, duhet të kërkohet pëlqimi i të gjithë ortakëve për një vendim, përmbajnë veprime ligjore të ndërlikuara, kanë një jetë të kufizuar në biznes, etj.
156. Çka janë korporatat?
Korporatat janë një formë e njohur e organizimit të biznesit, kapitali i së cilës formohet nëpërmjet shitjes së aksioneve, prandaj ato shpesh quhen shoqëri aksionare.
157. Çka është aksioni?
Aksioni është një titull pronësie ndaj një pjese të pasurisë së shoqërisë, një letër me vlerë që vërteton se një individ ka investuar në shoqëri vlerën nominale të aksionit dhe se ka të drejtën të marrë pjesë në fitimin e shoqërisë, në përputhje me këtë vlerë nominale.
158. Në çfarë forme marrin fitimin aksionistët?
Aksionistët marrin një pjesë të fitimit të shoqërise aksionare në formën e dividentit.
159. Çka ndodh në shoqëritë aksionare pa dhe me ofertë publike?
Në shoqëritë aksionare pa ofertë publike aksionet mbahen privatisht dhe mund të shiten e të blihen vetëm me marrëveshje të të gjithë aksionistëve.
Në shoqëritë aksionare me ofertë publike, aksionet blihen dhe shiten në tregun e letrave me vlerë, në bursë.
160. Cili është organi më i lartë i një shoqërie aksionare?
Organi më i lartë i një shoqërie aksionare është mbledhja e përgjithshme e aksionistëve, e cila vendos për qështjet kryesore të aktivitetit të saj.
Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia
121. Nga çka ndikohet dhe varet zgjedhja konsumatore?
Zgjedhja konsumatore ndikohet nga dobia dhe varet nga kënaqësia që individët presin të sigurojnë nga produkti që blejnë.
122. Nga çka përcaktohet zgjedhja konsumatore?
Zgjedhja konsumatore përcaktohet nga dobia marxhinale e jo nga dobia totale.
123. Çka paraqet ligji i dobisë marxhinale rënëse?
Ligji i dobisë marxhinale rënëse thotë se kur rritet sasia e konsumit të një të mire, eventualisht, në kushtet kur faktorët e tjerë nuk ndryshojnë, dobia marxhinale e njësisë së fundit të konsumuar vjen vazhdimisht duke rënë.
124. Si gjendet dobia marxhinale për 1€ të shpenzuar?
Supozojmë se kemi dy produkte A dhe B. Për të gjetur dobinë marxhinale të secilit produkt, do të përdorim:
Dobia marxhinale e produktit A
Dobia marxhinale për 1€ të shpenzuar = -------------------------------
Çmimi i produkit A
125. Cili është ekuacioni që paraqet se dy produkte blihen në të njejtën sasi?
Dobia marxhinale e A Dobia marxhinale e B
----------------------- = -------------------------
Cmimi i A Cmimi i B
126. Cili ekuacion shpreh rritjen e kënaqësisë me ndryshimin e sasisë së produkteve?
Dobia marxhinale e A Cmimi i A
------------------------- = ---------------
Dobia marxhinale e B Cmimi i B
127. Paraqite një shembull të dobisë totale dhe dobisë marxhinale!
Marrim një ditë të nxehtë vere dhe një konsumator që pasi ka lëvizur shumë është i etur dhe fillon të pijë limonadë. Gota e parë e limonadës i shijon shumë, e dyta i shijon por jo sa e para, e kështu me rradhë, masa e kënaqësisë ulet nga gota në gotë. Konsumatori dëshiron që gota e pestë të jetë e fundit. Cdo gotë shtesë do t’i sillte vetëm kënaqësi negative. Nga tabela shihet se konsumatori merr 6 njësi dobie nga gota e parë e limonadës. Nëse blen 2 gota, dobia totale (TU) e tij do të bëhet 11. Cdo gotë shtesë shton dobinë totale ose kënaqësinë totale. Kolona e dobisë marxhinale tregon se çdo gotë shtesë e konsumuar e shton gjithnjë e më pak dobinë totale të tij.
Numri i gotave të limonadës Dobia totale (TU) Dobia marxhinale (MU)
0 0
1 6 6
2 11 5
3 15 4
4 18 3
5 20 2
Pasi që konsumatori duhet të paguajë për limonadën, ai duhet të sakrifikojë blerje të tjera që mund të bënte në vend të saj. Kjo gatishmëri për të paguar, paraqet koston oportune të asaj gote, dmth. kënaqësinë që ai do të merrte nëse do të shpenzonte këto të holla në mënyra tjera.
128. Çka quhet tepricë e konsumatorit?
Tejkalimi i përfitimit total (shumës së dobive marxhinale) ndaj kostove totale (sasi e blerë x çmim) quhet tepricë e konsumatorit.
129. Vizato dhe shpjego figurën e tepricës së konsumatorit!
Në figurë paraqitet kurba e kërkesës (dhe e dobisë marxhinale) për një produkt. Me çmimin 10€ për njësi, do të kërkohen 100 njësi. Në njësinë e 100-të çmimi është i barabartë me dobinë marxhinale. Nëse çmimi ulet në 8€ për njësi, blerësit do të shpenzojnë 1200€ për të blerë 150 njësi. Në fakt, ata marrin një përfitim prej 1650€ dhe për pasojë rezulton një tepricë konsumatori prej 450€. Gjithë sipërfaqja poshtë kurbës së kërkesës paraqet dobinë totale, ndërsa sipërfaqja poshtë kurbës së kërkesës por mbi vijën e çmimit, paraqet tepricën e konsumatorit.
130. Çka quhet e ardhur totale?
Sasia e produkteve që konsumatori mund të blejë me të ardhurat e tij monetare, ose dobia totale e siguruar nga blerjet e produkteve me këto të ardhura quhet e ardhur totale.
131. Çka quhet efekt i të ardhurave?
Rritja e sasië së produktit të blerë, e shkaktuar nga një rritje e të ardhurave reale quhet efekt i të ardhurave, i cili mund të jetë pozitiv ose negativ, në varësi të faktit nëse të mirat janë normale apo inferiore. Për të mirat normale, efekti i të ardhurave është negativ, ndërsa efekti i të ardhurave për një të mirë inferiore është pozitiv.
132. Çka quhet efekt i zëvendësimit?
Ndryshimi në sasinë e blerë të produktit, i shkaktuar nga një ndryshim i çmimit relativ, duke mbajtur konstante të ardhurat reale quhet efekt i zëvendësimit, i cili ka gjithmonë shenjë negative, pra shenjë të kundërt me shenjën e ndryshimit të çmimit.
133. Vizato dhe shpjego kurbën e indiferencës!
Themi se kemi produktet x dhe y që i japin konsumatorit të njejtën kënaqësi. Pra, konsumatori është njësoj i kënaqur me 1 njësi x dhe 6 njësi y. Kombinimet e tilla në tabelë quhen zonë indiference, ndërsa paraqitja grafike quhet kurbë indiference.
Duke supozuar se konsumatori preferon të ketë më shumë nga dy produktet, konkludojmë se pjerrësia e kurbës së indiferencës është gjithmonë negative.
Preferencat e konsumatorit paraqesin ligjin e dobisë marxhinale rënëse. Kështu, duke kaluar nga kombinimi A në kombinimin B, konsumatori është i gatshëm të sakrifikojë 3 njësi y për të marrë njësi x më shumë.
134. Me çka matet vlera relative?
Për të matur vlerën relative përdoret koncepti i normës marxhinale të zëvendësimit (MRS), që mat sasinë e një produkti (produkti y) që blerësi është i gatshëm të sakrifikojë (y), për të marrë një njësi shtesë te një produkt tjetër, x (x) duke mbajtuur konstante dobinë totale. Pra:
deltay
MRS = -------
deltax 3
Në kalimin nga A në B, MRS = ----- = 3, etj.
1
135. Çka quhet hartë indiference?
Një bashkësi kurbash indiference, të paraqitura në të njejtën figurë, quhet hartë indiference. Secila prej kurbave në këtë hartë paraqet një nivel të ndryshëm kënaqësie.
136. Vizato dhe shpjego drejtëzën e buxhetit!
Supozojmë se të ardhurat e konsumatorit janë 60€ që i shpenzon për të blerë dy produkte x dhe y. Konsumatori mund të zgjedhë të blejë vetëm nga produkti x apo vetëm nga produkti y apo edhe kombinim të këtyre dy produkteve. Nëse i paraqesim këto të dhëna në grafik, të gjitha kombinimet e mundshme ndodhen mbi drejtëz, e cila quhet drejtëza e buxhetit.
Drejtëza e buxhetit mund të zhvendoset në pozicone të ndryshme nën ndikimin e ndryshimit të faktorëve. Nëse të ardhurat e konsumatorit rriten, drejtëza zhvendoset lart-djathtas (N1M1).
137. Çka është firma?
Firma është një njësi bazë që organizon dhe koordinon faktorët e prodhimit, punën, tokën, kapitalin dhe aftësitë sipërmarrëse në procesin e prodhimit, dhe të gjitha këto i kombinon për të prodhuar mallra ose shërbime të ndryshme.
138. Cilat janë problemet kryesore të firmave?
Problemet kryesore të firmave janë: çfarë malli apo shërbimi të prodhojë, në çfarë sasie, çfarë teknologjie prodhimi të përdorin, çfarë strukture organizimi dhe drejtimi të zgjedhin, etj.
139. Çka quhen të ardhura totale?
Të ardhura totale quhen të gjitha të ardhurat që firma siguron nga shitja e mallrave dhe shërbimeve që ajo prodhon.
140. Çka quhet kosto totale?
Shpenzimet totale që bëhen nga firma për të prodhuar dhe shitur mallra dhe shërbime quhen kosto totale.
Subscribe to:
Posts (Atom)