Wednesday, November 2, 2011

Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia


101. Shkruaje formulën për elasticitetin e kërkesës lidhur me çmimin “ed”?

         (q2 – q1)              (p2 – p1)                Dq           Dp         Dq        `p
ed = -------------     /   ----------------   =   -----   /   -----   =   ----- x -----
        (q2 + q1)/2            (p2 + p1)/2             `q            `p           Dp        `q

102. Çka quhet koeficient i elasticitetit?
Vlera që merret nga zbatimi i formulës së llogaritjes së elasticitetit quhet koeficient i elasticitetIt. Nëse ky koeficient është më i madh se 1, atëherë kërkesa është elastike dhe nëse është më i vogël se 1, kërkesa është joelastike.

103. Vizato dhe shpjego figurën ku kërkesa është plotësisht elastike!
Nga figura kuptohet se nëse çmimi rritet qoftë edhe pak mbi nivelin 10€, sasia e kërkuar bie zero. Pra, ka një reagim shumë të madh nga konsumatorët dhe koeficienti i elasticitetit të kërkesës është infinit.

104. Vizato dhe shpjego figurën ku kërkesa është plotësisht joelastike!
Nga figura kuptohet se sasia e kërkuar nuk ndryshon me ndryshimin e çmimit. Pra, konsumtaorët nuk reagojnë aspak ndaj ndryshimit të çmimit. Koeficienti i elasticitetit të kërkesës është zero.

105. Cilët janë faktorët që ndikojnë në elasticitetin e çmimit të kërkesës?
Fakorët që ndikojnë në elasticitetin e çmimit të kërkesës, prej nga mund të arrihet nëse kërkesa është elastike apo joelastike janë: ekzistenca e të mirave zëvendësuese, pëercaktimi i të mirës, efekti i të ardhurave, faktori kohë, të mirat e domosdoshme dhe të mirat e luksit.

106. Çka parqet kërkesa për ekzistencën e të mirave zëvendësuese?
Kërkesa bëhet më elastike kur të mirat kanë zëvendësues të afërt, si psh. kërkesa për transport hekurudhor do të rritet nëse rritet shumë çmimi i transportit automobilistik. Kërkesa bëhet më elastike kur të mirat kanë zëvendësues të afërt. Për të mirat që nuk kanë zëvendësues të afërt, kërkesa është joelastike.

107. Çka paraqet përcaktimi i të mirës?
Numri dhe afërsia e zëvendësuesve varet edhe nga fakti se si i përcaktojmë të mirat. Kur përcaktimi është më i përgjithshëm, zëvendësuesit do të jenë më të pakët dhe kërkesa do të jetë më pak elastike. Psh. kërkesa për ushqime do të jetë më pak elastike se kërkesa për mish.

108. Çka paraqet efekti i të ardhurave?
Kur produkti ka një çmim që paraqet një peshë të madhe specifike në të ardhurat e konsumatorit, prirja është që kërkesa për të të jetë elastike dhe në të kundërt, kërkesa priret të jetë joelastike kur çmimi i produktit paraqet një peshë të vogël specifike në të ardhurat e konsumatorit.

109. Çka paraqet faktori kohë?
Për periudha të shkurta kohe kërkesa është joelastike, ndërsa për periudha të gjata, ajo pritet të jetë elastike. Themi se jemi duke udhëtuar nga një qytet në një qytet tjetër në një ditë të nxehtë vere dhe kemi etje të madhe. Gjatë rrugës ndodhet vetëm një dyqan, që ka vetëm një lloj pije freskuese me çmim të lartë. Në kushtet kur nuk mund ta shtyejmë në kohë realizimin e kërkesës, do të pranojmë të paguajmë për të shuar etjen. Pra, kërkesa në këtë moment është joelastike sepse kemi etje dhe shtyrja e saj në kohë derisa të arrijmë në qytetin tjetër nuk është një zëvendësues i mirë në krahasim me zgjedhjen e bërë në moment. Por nëse kërkesa mund të shtyhej në kohë deri në qytetin tjetër, mundësitë alternative për të shuar etjen do të shtoheshin, pra kërkesa do të ishte më elastike.

110. Çka paraqesin të mirat e domosdoshme dhe të mirat e luksit?
Në të mirat e domosdoshme bëjnë pjesë jo vetëm të mirat kryesore për ekzistencë fizike (ushqimi, kujdesi mjekësor, etj.), por edhe të mirat që përfshihen në minimumin e kërkesave për një standard të pranueshëm jetese. Është e kuptueshme që kërkesa për të mirat e domosdoshme është joelastike dhe për të mirat e luksit, elastike. Mirëpo, kjo ndarje është relative dhe nuk duhet përdorur si kriter i vetëm për të gjykuar elasticitetin. Psh. kërkesa për vendet më të mira në një koncert apo në një ndeshje futbolli është joelastike mëgjithëse ndjekja e ndeshjes së futbollit nuk përfshihet në të mirat e domosdoshme. Kërkesa për të mirat e luksit është elastike, por kjo gjendje është relative sepse ka të mira të luksit ku kërkesa është joelastike, psh. kërkesa për vende më të mira në një koncert (vendet e lira janë të kufizuara).
Supozojmë se qeveria synon të rrisë të ardhurat nga taksat ndaj duhanit dhe verës. Kërkesa për duhan, përderisa nuk ka zëvendësues të afërt, mund të gjykohet joelastike. Një taksë ndaj duhanit do të pritet të rrisë të ardhurat për qeverinë.
Vera ka më shumë zëvendësues të afërt e vendosja e një takse ndaj saj mund të bëjë që shumë konsumatorë ta zëvendësojnë me pije të tjera. Pra, kërkesa për verë është elastike.

111. Vendosja e taksës në vere, çka ndikon në kërkesë?
Vendosja e një takse ndaj verës mund të ulë sasinë e kërkuar dhe efekti mbi të ardhurat e qeverisë mund të ishte negativ.

112. Çka paraqet elasticiteti i kërkesës lidhur me të ardhurat?
Elasticiteti i kërkesës lidhur me të ardhurat (ey), mat reagimin ndaj ndryshimit të të ardhurave dhe shprehet:

          (q2 – q1)      (y2 – y1)
ey = ------------ / -------------
        (q2 + q1)/2    (y2 + y1)/2


113. Çka tregon shenja pozitiv dhe negativ? Vizato figurën!
Shenja pozitiv tregon se të ardhurat dhe kërkesa janë lidhur në mënyrë të drejtëpërdrejtë midis tyre, pra pordukti është një e mirë normale. Shenja negativ tregon se të ardhurat dhe kërkesa janë lidhur në mënyrë të zhdrejtë, pra pordukti është një e mirë inferiore.

114. Çka paraqet elasticiteti i tërthortë i kërkesës?
Elasticiteti i tërthortë, mat reagimin e kërkesës së konsumatorit për të mirën A kur kemi një ndryshim në çmimin e të mirës B, që është e lidhur me të dhe paraqitet:

              (q2 – q1)A         (p2 – p1)B
eA,B = -------------- / --------------
             (q2 + q1)A/2     (p2 + p1)B/2

Një koeficint pozitiv i elasticitetit të tërthortë tregon se të mirat janë zëvendësuese të njëra-tjetrës, kurse një koeficient negativ tregon se të mirat janë plotësuese.
Kur koeficienti i elasticitetit të tërthortë është më i madh se 1, të mirat janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ndryshimi i çmimit të njërës prej tyre do të ndikojë shumë në kërkesën për të mirën tjetër. Kur koeficienti është më i vogël se 1, të mirat nuk janë shumë të lidhura midis tyre dhe ndryshimi i çmimit të njërës prej tyre do të ketë një ndikim të vogël në kërkesën për të mirën tjetër. Kur koeficienti është zero, të mirat nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.

115. Çka paraqet elasticiteti i ofertës lidhur me çmimin?
Elasticiteti i ofertës lidhur me çmimin tregon reagimin e shitësve ndaj një ndryshimi në çmim. Nëse reagimi i shitësve është i madh, themi se oferta është elastike; nëse reagimi i shitësve është i vogël, themi se oferta është joelastike. Formula është:

          (q2 – q1)           (p2 – p1)
es = --------------  /  ------------
         (q2 + q1)/2        (p2 + p1)/2

Kur koeficienti është më i madh se 1, oferta është elastike; kur është më i vogël se 1, oferta është joelastike dhe kur është i barabartë me 1, oferta është unitare.

116. Cilët janë faktorët që ndikojnë në reagimin e shitësve?
Faktorët që ndikojnë në reagimin e shitësve janë: kostoja dhe mundësia e produktit për t’u depozituar, fleksibiliteti i procesit të prodhimit, kostoja e prodhimit të njësive shtesë dhe faktori kohë.

117. Shenja + ose - e koeficientit të elasticitetit, çka tregon? Çfarë lidhje kanë?
Shenja plus (+) tregon mallra zëvendësues ose përdoret për prodhime normale;
Shenja minus (-) tregon mallra plotësues ose përdoret për prodhime inferiore;
Kur eAB > 1, atëherë të mirat janë shumë të lidhura me njëra tjetrën; ndryshimi i çmimit të njërës ndikon shumë në kërkesën për të mirën tjetër;
Kur eAB < 1 atëherë të mirat nuk janë shumë të lidhura me njëra tjetrën; ndryshimi i çmimit të njërës do të ketë ndikim të vogël në kërkesën për të mirën tjetër;
Kur eAB = 0 atëherë mirat nuk kanë lidhje me njëra tjetrën.

118. Çka na ndihmon teoria e zgjedhjes konsumatore?
Teoria e zgjedhjes konsumatore na ndihmon për të kuptuar sjelljen e konsumatorit, për të shpjeguar pse njerëzit bëjnë këtë apo atë zgjedhje.

119. Nga çka varet kufizimi monetar individual?
Kufizimi monetar individual varet nga e ardhura korrente e konsumatorit, kursimet e mëparshme, mundësia për të marrë hua, etj.

120. Pse konsumatorët blejnë të mira dhe shërbime dhe çka përfaqësojnë ato?
Konsumatorët blejnë të mira dhe shërbime për të plotësuar nevojat e tyre. Përfitimet e marra nga ato blerje përfaqësojnë kënaqësi.


No comments: