Tuesday, June 5, 2007

Pyetje dhe përgjigje nga Mikroekonomia

1. Cka studion ekonomiksi?
Ekonomiksi studion anën ekonomike të jetës shoqërore, sjelljen e agjentëve ekonomikë në shoqëri dhe kushtet ekonomike të bashkëveprimit të tyre.
Ekonomiksi përgjithësisht përcaktohet si shkenca që studion alokimin e burimeve të kufizuara ndaj nevojave konkurruese, të pakufizuara.

2. Kush paraqitet si agjent ekonomikë?
Në rolin e agjentëve ekonomikë ose vendimmarrësve, sikurse quhen ndryshe, paraqiten individët (ose familjet), firmat dhe qeveria.

3. Si paraqiten individët ose familjet?
Individët ose familjet paraqiten si agjentë ekonomikë para se gjithash në rolin e tyre si zotërues burimesh dhe si konsumatorë.

4. Çka është firma?
Firmë quhet çdo organizatë që prodhon mallra ose shërbime.

5. Çka përfaqëson qeveria?
Qeveria (shteti) përfaqëson një agjent ekonomik, pra një vendimmarrës në fushën ekonomike, në rolin e saj si krijuese dhe mbikqyrëse e rregullave të lojës ekonomike, në rolin e saj si prodhuese e drejtëpërdrejtë mallrash dhe shërbimesh, si dhe në të gjitha funksionet e tjera ekonomike që i realizon përmes politikave të saj ndërhyrëse në ekonomi.

6. Çfarë qëllimesh ka qeveria kur ndërhyn në ekonomi?
Qeveria me ndërhyrjen e saj në ekonomi ka qëllim që përmes politikave të saj qeveritare të sjellë në ekuilibër ekonominë e një vendi; rritjen e prodhimit në kushte të një aktiviteti të dobët ekonomik apo në uljen e tij në periudhat e inflacionit kërcënues.

7. Cilat janë konceptet e Ekonomiksit?
Konceptet e Ekonomiksit janë konceptet pasuri dhe mirëqënie.

8. Çka paraqet pasuria?
Pasuria e një vendi përbëhet nga stoku i tij i mallrave dhe shërbimeve dhe arrihet duke bërë shfrytëzimin racional të burimeve ekzistuese në atë vend.

9. Çka paraqet mirëqënia?
Mirëqënia i referohet kënaqësisë që një individ apo shoqëria nxjerrin nga konsumi i pasurisë.

10. Cilat janë konceptet që lidhen me konceptin e mirëqënies?
Koncepti i mirëqënies lidhet me konceptet efiçencë dhe drejtësi.

11. Çka paraqet efiçenca?
Efiçenca ka të bëjë me nxjerrjen e një dobie ose kënaqësie maksimale të mundshme nga përdorimi i burimeve ekonomike.

12. Çka paraqet drejtësia?
Drejtësia lidhet me shpërndarjen e drejtë të mallrave dhe shërbimeve midis grupeve të ndryshme shoqërore dhe individëve.

13. A është e kufizuar sasia dhe llojshmëria e mallrave dhe shërbimeve?
Po, sasia dhe llojshmëria e mallrave dhe shërbimeve është e kufizuar.

14. Cilët janë faktorët kryesorë që kufizojnë sasinë e mallrave dhe shërbimeve?
Faktorët kryesorë që ndikojnë në kufizimin e mallrave dhe shërbimeve janë: sasia e burimeve ekonomike në dispozicion dhe gjendja e teknologjisë.

15. Në sa grupe kryesore klasifikohen burimet dhe cilat janë ato?
Burimet, ose faktorët e prodhimit sikurse quhen ndryshe, ndahen në tri grupe kryesore dhe ato janë: puna, toka dhe kapitali.

16. Çka paraqet puna?
Puna përfshin aftësinë mendore dhe fizike të njerëzve për të punuar.

17. Çka paraqet toka?
Toka përfshin pasuritë natyrore të të gjitha llojeve, siç janë toka bujqësore, toka si truall ndërtimi, burimet e energjisë, burimet minerale dhe i gjithë mjedisi fizik që na rrethon.

18. Çka paraqet kapitali?
Kapitali përbëhet nga mallrat e prodhuara me qëllim për të prodhuar mallrat e tjerë. Me kapital, nga pikëpamja ekonomike, kuptojmë vetëm kapitalin fizik, jo kapitalin financiar. Elementet kryesore të kapitalit janë pajisjet dhe makineritë, ndërtesat, inventari, etj.

19. Cili është klasifikimi i katërt i faktorëve të prodhimit?
Klasifikimi i katërt i faktorëve të prodhimit është aftësia sipërmarrëse.

20. Çka paraqet aftësia sipërmarrëse?
Aftësia sipërmarrëse i referohet talentit të veçantë që kanë disa njerëz për organizimin e burimeve të tjera ekonomike, si puna, toka dhe kapitali në procesin e prodhimit të mallrave dhe shërbimeve, për kërkimin e mundësive të reja për biznes si dhe për zhvillimin e metodave të reja të prodhimit.

No comments: